Po Flet Valbona


Rreth Nesh


Po Flet Valbona është një fushatë informative që paraqet një sërë çështjesh komplekse përreth zhvillimit të HEC-eve në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës. Duke paraqitur informacionin në formatin e pyetje-përgjigjeve (Lexo më shumë)



Pyetjet


1. Çfarë po ndodh në Valbonë?Në 2016, ne zbuluam që 3 kompani kanë 3 konçensione për të ndërtuar deri në 14 hidrocentrale “të vogla”, përgjatë 75% të Lumit të Valbonës. Që nga ai moment, një numër në rritje vendasish, me organizatën Toka, së bashku me mbështetës, aktivistë dhe artistë nga e gjithë Shqipëria, kanë nisur të luftojnë për të ndalur ndërtimin. Ndërtimi i HEC-it të parë nisi në vitin 2014, me dy HEC-e të tjera që nisën punimet e ndërtimit në Shtator 2016.
2. Ku është e keqja me hidrocentralet në Valbonë?HEC-et në Valbonë quhen “Hidrocentrale Rrjedhëse”. Kjo do të thotë se për çdo HEC, një pjesë e prurjeve të lumit, hiqet nga sipërfaqja dhe futet në një tunel ose tub. Pjesa më e madhe të tuneleve të HEC-eve në Valbonë, janë 3 km të gjatë. Më i gjati është 6 km. Me 14 HEC-et e planifikuar, dhe me secilin HEC të pozicionuar aty ku HEC-i i parë mbaron, do të thotë që në zonën e HEC-eve, lumi do të ndryshojë dhe pothuajse do të thahet, duke qenë se rreth 80% e ujit do të kalojë në tuba nëntokësorë, duke dalë në sipërfaqe vetëm pranë turbinave.
3. Nëse nuk do të ketë lumë, çfarë do të ketë?Në vend të lumit blu, ne do të kemi një rrëke të vogël uji, ose ndonjëherë pellgje të tharë lumenjsh, të mbushur me diga të vogla dhe rezervuarë, kapanone makinerish dhe shtylla tensioni të lartë.
4. Saktësisht, ku po ndodh?14 HEC-et janë të ndarë në dy grupe:
- 8 HEC-e brenda luginës dhe parkut kombëtar (Valbonë-Dragobi)
- 6 HEC-e duke filluar nga Bajram Curri në Bujan
Grupi i Luginës së Valbonës, e merr ujin nga 15 km lumenjsh. Ai do të shkaterrojë 10 km nga lumi i Valbonës dhe do të shkaktojë zhdukjen totale të përrenjve Çerem, Motina, Millosh dhe Shpanik.
Grupi i Dojanit, do të prekë 15 km lumi dhe përrenjsh. Ai do të krijojë një liqen artificial në Bujan, duke përmbytur tokë bujqësore dhe pika arkeologjike. Së bashku, këto 6 HEC-e, mund të heqin pjesën më të madhe të prurjeve të lumit nga Bajram Curri, Dojani dhe Bujani.
Herë pas here, qeveria shprehet se planet për disa prej HEC-eve janë braktisur, por deri më sot, nuk ka asnjë anulim zyrtar për ndonjë prej 14 projekteve.
5. Si ndikon tek njerëzit zhdukja e lumenjve?Gjatë verës së 2017, komuniteti vendas në fshatrat e Valbonë - Dragobi, nuk pati ujë të pijshëm dhe për vaditje për tri muaj. Burimet e tyre të ujit të pishëm u zhdukën. Gjatë shirave të fortë të dimrit 2017-2018, erozioni i shkaktuar prej ndërtimit dhe tuneleve, shkaktoi përmbytje në zona ku nuk kishte ndodhur kurrë më parë.
Vizitorët vendas, shqiptarë dhe të huaj, do të humbasin atraksionet me më shumë ujë për not, rafting dhe peshkim, duke përfshirë pika turistike si lumi pranë “Urës së Valbonës”, një vend mjaft popullor edhe mes banorëve të vjetër të zonës.
Panorama e Parkut Kombëtar të Luginës së Valbonës, do të ndikohet në mënyrë serioze nga shtretërit e tharë të lumenjve, shtyllat e tensionit të lartë, masivet e betonit dhe ndërtimet industriale.
Me ndikimet negative në turizëm, ekonomia vendase në rajonin e Tropojës do të ulet. Shumë guida turistike, kamarierë, artizanë dhe taksistë do të humbasin vendet e punës, ndërsa shumë hotele, bujtina dhe resotrante të vogla, do të humbasin klientelën.
Me Valbonën e shpallur park kombëtar dhe e përmendur në kulturën kombëtare nëpërmjet muzikës dhe letërsisë, ne Shqiptarët do të humbasim një aset të çmuar kombëtar që na përket të gjithëve.
6. Nëse sakrifikojmë 30 km lumenj, do të jetë në rregull pjesa tjetër?Jo. Pa lumenjtë, në Valbonë temperaturat do të rriten dhe lagështia do të ulet, çka do të thotë që shumë prej pyjeve përreth, sigurisht do të ndryshojnë dhe ndoshta do të thahen.
Pa ujë të pijshëm dhe pa vaditje, shumë njerëz në Dragobi do të detyrohen të emigrojnë në zona të tjera.
Dhe siç e dimë nga shembilli i Lumit në Grykën e Vaneve jashtë Kukësit, ku 10 hidrocentrale janë ndërtuar, peshqit do të zhduken.
7. A janë HEC-et me interes publik?Edhe pse janë me leje nga qeveria, HEC-et nuk janë vepra publike. Ato janë pronë private. Nuk ka asnjë marrëveshje mes tyre dhe qeverisë për blerje të energjisë, ndaj investitorët nuk janë të detyruar t’ia shesin shtetit shqiptar energjinë e prodhuar. Ata mund ta mbajnë për ta përdorur nëpër bizneset e tyre. Por edhe nëse ata zgjedhin që energjinë e prodhuar ta shesin, shteti do ta blejë energjinë, ndoshta në çmime të larta e të garantuara – kështu që nuk ka asnjë përfitim për popullin.
8. A do të ndihmojnë HEC-et në Valbonë për përmirësimin e situatës energjetike?Energjia e prodhuar nga projektet e Valbonës është minimale, me plane për të operuar MAKSIMALISHT për 50 ditë të vitit, pra më pak se dy muaj. Një familje me gjithë orenditë shtëpiake ka nevojë për 2-4kw kapacitet. Këta hidrocentrale do të kenë një kapacitet të përkohshëm prej 20 mw – 20,000 kw. Kjo do të thorë se këta dy hidrocentrale do të jenë në gjendje të furnizoujnë me energji elektrike 5,000-10,000 familije, dhe kjo vetëm në periudhën me rreshje (më pak se dy muaj). Këta HEC-e nuk do të zgjidhin as nevojat e Shqipërisë, as të Tropojës dhe as të 1000 banorëve të luginës së Valbonës.
9. A hapin HEC-et vende pune?HEC-et nuk hapin vende pune. Gjatë ndërtimit, vetëm 5 vendas janë punësuar, si pastrues dhe roje. Një restorant mesatar në zonë krijon më shumë vende pune dhe më shumë buxhet se i gjithë zhvillimi projektit të HEC-eve.
10. Nëse kjo është një ide kaq e keqe, përse u lejua të ndodhë?Pothuajse 500 leje për HEC-e të vegjël janë dhënë mes viteve 2009 dhe 2013 mbi çdo lumë të Shqipërisë. Leje të tjera vazhdojnë të jepen sot. Sipas Transparency International, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe medias së pavarur, Shqipëria renditet dhe perceptohet si një shtet me indeks të lartë korrupsioni. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) e përkufizon fjalën korrupsion si “shpërdorim i burimeve publike për dobi private”.
Nuk ka transparencë mbi arsyen përse Gener-2 dhe investitorë të tjerë janë duke investuar miliona Euro në HEC-e që duket se kanë shpresa të dobëta për të kthyer investimin apo për të krijuar fitim.
11. A nuk ka mekanizma që mund të na mbrojnë nga zhvillimet e këqija?Ligji kërkon një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis (VNM) për çdo projekt. Një VNM supozohet të studiojë situatën ekzistuese dhe të gjykojë nëse punimet mund të zhvillohen pa ndikuar negativisht mbi mjedisin.
VNM-ja në rastin e Valbonës, nuk përmban analizë shkencore dhe përmban gabime serioze mbi ekosistemin. Ai nuk merr parasysh impaktin mbi biodiversitetin ekzistues dhe injoron totalisht faktin që HEC-et ndërtohen në territorin e një parku kombëtar, në kundërshtim me ligjin.
Me firmosjen e Konventës së Bernës në vitin 1995, Shqipëria ka marrë përsipër të mbrojë specje si Ariu i Murrmë (Ursus arctos). VNM-ja në rastin e Valbonës, e përmend Ariun e Murrmë si specje që gjendet në park. Edhe sikur ky të ishte i vetmi problem, kjo VNM e nxjerr projektin e Valbonës të jashtëligjshëm.
Në rastin e HEC-it në Tplan, qeveria as nuk ka kërkuar një VNM.
Një tjetër shqetësim është që VNM-të shkruhen për secilin HEC individualisht, pa marrë parasysh pasojat e kombinuara të 14 HEC-eve së bashku.
Ekzistojnë edhe leje të tjera që duhen kërkuar (arkeologjike, shfrytëzim ujërash, ndërtimi, etj.) secila me kriteret e veta, por në Valbonë, ndërtimi është lejuar të vazhdojë edhe në mungesë të tyre.
Pra, mekanizmat janë, por ato nuk ushtrohen siç duhen.
12. A nuk është Valbona park kombëtar? A nuk është në mbrojtje? Në ligjin për zonat e mbrojtura, në zbatim gjatë kohës së lejeve, një Park Kombëtar, përkufizohet si një zonë “unike për nga vlerat kombëtare dhe ndërkombëtare, një pjesë e madhe e të cilave janë ekosistem e natyrore, të ndikuara pak nga veprimtaria e njeriut, ku bimët, kafshët dhe mjedisi natyror, fizik janë të një rëndësie të veçantë shkencore dhe edukative, shpallen park kombëtar.”
Ky përcaktim sugjeron që krijimi i “impaktit njerëzor” do të ishte në kontradiktë ligjore me qëllimin e parkut..
Gjithashtu në zbatim gjatë kohës së lejeve, ka qenë një ligj që ndalonte “zhvillimet industriale, shtyllat e tensionit të lartë dhe rrugët” në një park kombëtar. Për fat të keq, hidrocentralet nuk përfshiheshin specifikisht në listën e shkurtër të shembujve të zhvillimit industrial, dhe ky është përdorur si argument që HEC-et nuk ndaloheshin specifikisht.
Duke qenë se shembujt ishin gjithsesi VETËM shembuj, ligji u qartësua në Qershor 2017 dhe HEC-et u ndaluan specifikisht brenda një parku kombëtar. Kështu që ligji tani e bën të qartë që nuk mund të ketë hidrocentrale brenda një parku kombëtar. Kështu, qeveria tani pranon zyrtarisht që hidrocentralet kanë efekt negativ në cilësinë e ekosistemit të një zone të mbrojtur dhe nuk përshtatet me përkufizimin e një parku kombëtar: “Një zonë e prekur minimalisht nga dora e njeriut.”. Nuk ka më nevojë për diskutim nëse një HEC shkakton dëme apo jo. Është e qartë dhe e përcaktuar nga ligji që HEC-et shkaktojnë dhe do të shkaktojnë dëme dhe nuk duhet të lejohen në një park kombëtar si Valbona.
Pra: Po. Një park kombëtar është i mbrojtur në letër, por me sa duket jo në realitet.
13. A janë duke funksionuar sistemet administrative dhe ligjore? A ka patur ndonjë gjykim për HEC-et?Që prej Janarit 2016, nga mbi 25 kërkesa formale për informacion, që vendasit e Valbonës kanë bërë, shumica nuk kanë marrë përgjigje. Përgjigjet e marra konsistojnë pothuajse vetëm në informacion formal që kërkesa duhet t’i drejtohet dikujt tjetër.
Nga shumë thirrje në inspektoriatet rajonale dhe kombëtare për të verifikuar nëse hidrocentralet ishin duke punuar me leje të vlefshme (kur ne e dinim që nuk ishin) dhe kërkesa për të marrë kopje të raporteve të monitorimeve të inspektoriateve: Shumica e tyre nuk morrën përgjigje.
Në mënyrë sporadike, kanë ardhur përgjigje të shkurtra me përmbajtjen “të gjitha lejet janë në rregull” edhe pse në të njëjtën kohë, avokatët e Ministrisë së Energjetikës dhe të Këshillit Kombëtar Rregullimit të Territorit pranonin në gjykatë që kompania energjetike “Dragobia” nuk kishte leje ndërtimi. Nuk morrëm asnjë raport monitorimi.
Përkundrazi, inspektime të rrepta u ndërmorren në bujtinat e vogla dhe hotelet e zonës, duke vënë gjoba dhe duke kërcënuar shembjen e ndërtesave.
Sipas mediave shqiptare, gjykata ka vendosur “në favor të HEC-eve” në nëntor 2017. KY INFORMACION ËSHTË I RREMË. Gjykata e përjashtoi gjyqin e parë të oganizatës TOKA dhe 27 vendasve, duke thënë që publiku nuk ka të drejtë të kritikojë qeverinë në këtë situatë, edhe pse marrëveshja e të drejtave të njeriut në Aarhus u garanton njerëzve të drejtën për: Informacion, përfshirje në vendim-marrje dhe të drejtën për zgjidhje juridike në të gjitha zhvillimet që prekin mjedisin e njerëzve.
14. Çfarë kanë bërë njerëzit deri tani?Në mungesën totale të konsultimeve publike dhe me shumë pak transparencë nga qeveria, që prej vitit 2016, vendasit e Tropojës, kanë nxituar të studiojnë vetë situatën. Për dy vite janë përpjekur – me sukses – që të kuptojnë ligjet, të drejtat dhe realitetin e situatës së hidro-energjetikës.
Ndërsa koha kalon, bëhet më pak e më pak i mundshëm të besuarit që zhvillimet hidro-energjetike mund të mos jenë katastrofike dhe njerëzit kuptojnë gjithmonë e më shumë që u duhet të luftojnë tani për të mbrojtur shtëpitë e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.
15. Çfarë është bërë për të luftuar ligjërisht HEC-et?Në Maj 2017, organizata vendase TOKA dhe 27 banorë, hapën një çështje gjyqësore mbi pavlefshmërinë e lejes së Dragobia Energy, duke hedhur në gjyq Ministrinë e Energjetikës dhe Infrastrukturës dhe disa ministri të tjera në Gjykatën Administrative. Në Janar 2018, ata hapën një tjetër gjyq në Gjykatën Administrative, kundër Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit për dhënien e një tjetër lejeje ndërtimi në Nëntor 2017 për një HEC, në kundërshtim të plotë me ligjin e ri mbi zonat e mbrojtura të Qershorit 2017.
Në Mars 2018, 30 banorë nga fshati Dragobi dhe organizata TOKA, denoncuan kryeplakun dhe një zyrtar të kompanisë Dragobia Energy, të cilët firmosën dhe vulosën miratimet e 20 firmave të një konsultimi publik që pretendonin se e kishin bërë në 2013. Nga 20 firma, dy persona ishin të vdekur në kohën e firmosjes.
Veprime të tjera ligjore janë në pritje. Deri tani ata nuk kanë hequr dorë nga zgjidhja e ligjshme, apo nga besimi se sistemi drejtues dhe juridik mund te detyrohen të funksionojnë.
16. Po tjetër, çfarë është bërë?Protestat në Valbonë dhe në Tiranë, kostot e udhëtimit të njerëzve drejt Gjykatës dhe intervistave televizive, kostot ligjore dhe kostot e materialeve publicitare dhe informuese, deri tani kanë kushtuar mbi 20.000 Euro.
Të gjitha këto fonde janë ngritur totalisht nga vendasit, të cilët kanë punuar për të përfituar donacione dhe suport financiar nga organizata ndërkombëtare. Në pjesën më të varfër të Shqipërisë, ngritja e këtij fondi ka qenë një fitore e madhe.
Vendasit gjithashtu kanë lobuar me zyrtarë të qeverisë, kanë marrë pjesë në një seancë parlamentare, kanë marrë mbështetjen e komunitetit diplomatik. Ata kanë dhënë intervista pa fund në mediat kombëtare dhe në disa media ndërkombëtare. Ata kanë protestuar paqësisht.
17. A është lufta për të shpëtuar Valbonën drejt fundit, apo e pashpresë?Jo.
Patjetër që janë bërë ndërtime të shëmtuara, por kjo vetëm ekspozon çfarë investitorët kanë ndërmend të bëjnë, pavarësisht se çfarë thonë publikisht mbi ndjeshmërinë për mjedisin dhe synimet për të rehabilituar Valbonën.
Ndërtimet në lumenj ende mund të hiqen lehtësisht. Centralet nuk kanë nisur ende të ndërtohen.
Shtyllat e tensionit të lartë nuk janë ndërtuar ende dhe nuk kanë leje ndërtimi, edhe pse kompania ka bërë matje për to në tokat private të njerëzve. Ata zotohen se kanë leje, ndonëse nuk kanë asnjë marrëveshje ligjore me pronarët e tokave dhe as qeveria nuk ka shpronësuar formalisht tokën (siç e kërkon ligji shqiptar). Edhe pas gjithë kësaj, ligji dhe standardet e BE-së do të kërkojnë eventualisht që HEC-et të hiqen – me një kosto të madhe në taksat e taksa-paguesve.
Pra, tani nuk është koha për t’u dorëzuar, por koha për të ecur përpara së bashku.
18. Çfarë mund të bëj për të shpëtuar Lumin e Valbonës dhe lumenjtë e tjerë në Shqipëri?Çdo veprim i vogël që ti bën për të mbështetur kauzën e Lumit të Valbonës dhe të lumenjve të tjerë në Shqipëri, mund të ketë një impakt drastik në komunitet, në zhvillim dhe në vendimarrje. Më poshtë janë disa sugjerime që do të të mundësojnë TY të bëhesh një mbështetës i rëndësishëm i kauzës: Çfarë mund të bëj?
.